Secondary Adv

Analiza e BIRN: Rritja e çmimit të naftës mund t’i kushtojë Shqipërisë deri 400 mln euro

Shtrenjtimi i karburanteve në tregjet ndërkombëtare rrezikon të godasë ekonominë shqiptare me kosto deri në gjysmë miliardi dollarë nëse kriza zgjat.

Dyfishim i çmimit në tregjet globale

Çmimi i benzinës dhe gazoilit në tregun ndërkombëtar është rritur ndjeshëm, nga rreth 750 dollarë për ton para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme në rreth 1430 dollarë për ton. Kjo rritje prej rreth 48 për qind po reflektohet drejtpërdrejt në kostot e ekonomisë shqiptare.

 

Duke marrë parasysh se Shqipëria importoi rreth 741 mijë ton karburante në vitin 2025, fatura totale mund të rritet nga rreth 555 milionë dollarë në afro 1.1 miliardë dollarë në kushtet aktuale të tregut.

 

Rrezik për rritjen ekonomike

Nëse kjo situatë zgjat për një vit të plotë, kostoja për ekonominë mund të arrijë deri në 400 milionë euro, ose rreth 1.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në një skenar të tillë, rritja ekonomike e parashikuar prej 3.6 për qind mund të bjerë në rreth 2.2 për qind.

 

Një goditje e tillë do të ndikojë jo vetëm bizneset dhe konsumatorët, por edhe financat publike, duke krijuar presion për rritje të deficitit ose shtim të borxhit.

 

Presion mbi buxhetin dhe borxhin

Buxheti i shtetit parashikon një deficit prej rreth 64 miliardë lekësh, ose 2.3 për qind të PBB-së. Nëse të ardhurat bien si pasojë e ngadalësimit ekonomik, qeveria do të përballet me zgjedhjen mes shkurtimit të shpenzimeve ose rritjes së borxhit publik. Rritja e borxhit do të sillte kosto shtesë për interesat, duke rënduar më tej financat publike në vitet në vijim.

 

Efekte zinxhir në ekonomi

Shtrenjtimi i karburanteve pritet të shoqërohet me rritje të përgjithshme të çmimeve dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Nga ana tjetër, një pjesë e konsumatorëve mund të reduktojnë përdorimin e automjeteve, duke ulur kërkesën dhe importet.

 

Një faktor i rëndësishëm mbetet edhe prodhimi i energjisë nga hidrocentralet, i cili mund të zbusë ose të përkeqësojë efektet në varësi të kushteve hidrike gjatë vitit.

 

Kriza mund të jetë e përkohshme

Tregjet ndërkombëtare sugjerojnë se kriza mund të jetë afatshkurtër, me pritshmëri për ulje të tensioneve dhe stabilizim të furnizimit në Ngushticën e Hormuzit në javët në vijim. Megjithatë, edhe një periudhë e shkurtër me çmime të larta ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare.

 

Krahasimi me kostot e brendshme

Analiza thekson se, pavarësisht kostos së krizës së naftës, ajo mbetet më e ulët se disa probleme të brendshme strukturore. Shpenzimet publike arrijnë në rreth 8.9 miliardë euro në vit, ndërsa vetëm për paga në sektorin publik shkojnë rreth 1.4 miliardë euro.

 

Sipas vlerësimeve, rritja e numrit të punonjësve dhe kostot e administratës publike kanë një ndikim të vazhdueshëm në buxhet, shpesh më të lartë se efektet e krizave të jashtme si ajo e naftës.

 

Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat